Secondary Adv

Bizneset po largohen nga kreditë në euro, huamarrja në lekë rritet me 10 për qind

Bizneset po zhvendosin huamarrjen drejt lekut, ndërsa kreditë në euro po humbasin peshë gjatë vitit të fundit.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, 58% e ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se kanë kredi vetëm në lekë, nga 48% në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej 10 pikësh përqindjeje brenda një viti.


Në të njëjtën kohë, pesha e ndërmarrjeve me kredi vetëm në euro ka zbritur në 33%, duke shënuar një rënie prej 11 pikësh përqindjeje në krahasim me një vit më parë. Ndërkohë, 9% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë hua të kombinuara, si në lekë ashtu edhe në valutë.


Zhvendosja drejt monedhës vendase ka vijuar edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Krahasuar me fundin e vitit 2025, pesha e ndërmarrjeve me kredi vetëm në lekë është rritur me 4 pikë përqindjeje, ndërsa ajo e huamarrësve vetëm në euro është ulur me 2 pikë përqindjeje.


Tendenca vihet re në të gjitha kategoritë e bizneseve, por ndryshimet në strukturën e huamarrjes mbeten të konsiderueshme sipas madhësisë së ndërmarrjeve.


Peshën më të lartë të huamarrjes vetëm në lekë e kanë ndërmarrjet e mesme, ku 70% deklarojnë kredi në monedhën vendase. Te ndërmarrjet e mëdha kjo përqindje është 54%.


Nga ana tjetër, ndërmarrjet e vogla dhe ato të mëdha rezultojnë më të ekspozuara ndaj huamarrjes në euro, me nga 36% të subjekteve huamarrëse në secilin grup që deklarojnë kredi në këtë monedhë.


Banka e Shqipërisë evidenton se pesha e ndërmarrjeve me kredi në valutë ka rënë në të tria grupet, si në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm, ashtu edhe në terma vjetorë. Rënia është më e theksuar te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.


Ndryshe nga struktura e huamarrjes, përdorimi i valutës në aktivitetin e bizneseve ka mbetur përgjithësisht i qëndrueshëm. Rreth 22% e ndërmarrjeve deklarojnë se kryejnë mbi gjysmën e veprimtarisë së tyre në valutë, një përqindje e pandryshuar në terma gjashtëmujorë dhe vetëm 1 pikë përqindjeje më e lartë krahasuar me një vit më parë.


Kjo tregon se ndryshimi në monedhën e huamarrjes ka qenë më i theksuar sesa ndryshimi në përdorimin e valutës për aktivitetin e përditshëm të ndërmarrjeve.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat